Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Roli i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ofron përkrahje administrative Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe zyrave të prokurorit të shtetit siç ceket në Ligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kujdeset që të gjitha prokuroritë të kenë stafin adekuat administrativ dhe t’iu sigurojë të gjitha materialet e nevojshme brenda buxhetit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kryeprokurori i Shtetit, apo cilido prokuror, të cilit Kryeprokurori i Shtetit mund t’i delegojë autoritetin, mund të kërkojnë nga një prokuror vartës që të ofrojë  raporte apo informata të tjera me shkrim lidhur me progresin, gjendjen apo zgjidhjen e lëndëve për të cilat është përgjegjës prokurori vartës.

Kryeprokurori i Shtetit ka juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe ka juridiksion ekskluziv mbi lëndët në shkallë të tretë pranë Gjykatës Supreme, si dhe mbi të gjitha lëndët që përfshijnë mjete të jashtëzakonshme juridike. Kryeprokurori i Shtetit mund të marrë në kompetencë secilën lëndë në secilën prokurori të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.

Kryeprokurori i Shtetit është kreu i Prokurorit të Shtetit dhe ka përgjegjësi të gjithmbarshme për menaxhimin e Prokurorit  të  Shtetit dhe mbikëqyrjen e të gjithë prokurorëve.

Kryeprokurori i Shtetit nxjerr  rregulla, instruksione, udhëzime dhe vendime për rregullimin e brendshëm të Prokurorit të Shtetit.

Selia e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është në Prishtinë.

Adresa postare e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit:

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Ndërtesa e ish bankës së Lubjanës,  kati i VIII-të, zyra 802, 10 000 Prishtinë, Kosovë

Numri kontaktues : +381/38/200 18 848